
Kryeministri ka hedhur një sërë akuzash përkundrejt kundërshtarëve të tij politikë, por ndryshe nga ditët e fundit ku fokusi ka qenë “kazani mediatik”, Rama ka sulmuar “kazanin politik”.
Përmes komunikimit javor që kreu i qeverisë bën çdo të diel në profilin e tij në rrjetin social, akuzat i janë drejtuar vorbullës së shpikjeve dhe pallavrave, që sipas kreut të qeverisë “ziejnë” në kazanin e politikës. Kryeministri flet për një "vjeshtë histerike", një terminologji ku sigurisht përfshihet dhe skandali i përfshirjes së mundshme të Saimir Tahirit me grupin kriminal të Habilajve.
Nga ana tjetër, kryeministri ka folur gjithashtu edhe për Rrugën e Arbrit, duke deklaruar se jo vetëm ky projekt por dhe një sërë segmentesh të tjera rrugore do të bëhen brenda këtij mandati qeverisës, një realitet i prekshëm për të gjithë shqiptarët.
“Vetëm me reformat e vështirat dhe jo me gënjeshtra, me hap të vogël, jo me iluzione e pallavra mund ta bëjmë Shqipërinë. Kujt i duhet sherri e konflikti? Njerëzve të zakonshëm jo njëherë. Kujt i duhet pallavrat që shpik politika çdo ditë? Shqipërisë jo njëherë. Është për të ardhur keq, kur sheh kazanin e politikës të ziejë në vorbullën e pallavrave e shpikjeve. Kjo vjeshtë histerike e politikës, nuk mund të na pengojë për të bërë detyrën tonë. Ta mbajmë të plotë përgjegjësinë që na kanë dhënë njerëzit. U deshën shumë hapa për të nisur rrugën e Arbrit, plot 4 vite për të ardhur deri këtu, ama erdhëm po jo si të tjerët, që e kthyen rrugën e Arbrit si një nga premtimet më të përsëritura e të pambajtur.
Ndryshimet e vërteta bëhen me punë, duan durim dhe kohë. Do të bëmë shumë më tepër në këto 4 vite. Kemi një program masiv investimesh që ka filluar me Rrugën e Arbrit. Merreni me mend që në 27 vjet, natën ndriçohet vetëm aksi Rinas Tiranë... sa shumë kemi për të bërë! Por ne do të krijojmë më shumë mundësi zhvillimi ekonomik.”-tha Rama
Comments
Post a Comment